“NATO po përfshihet në luftë me Rusinë”, Lavrov: Lufta e Tretë Botërore është një rrezik real

Nga A2 CNN
26 Prill 2022, 10:44 | Aktualitet
“NATO po përfshihet në luftë me Rusinë”, Lavrov:

Paralelisht me ofensivën në lindje të Ukrainës, Moska intensifikon përplasjen edhe me Perëndimin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet në një Luftë të Tretë Botërore.

Në një intervistë për një televizion shtetëror ditën e hënë, shefi i diplomacisë së Kremlinit tha se rreziku i një konflikti bërthamor nuk duhej nënvlerësuar, edhe pse kjo do të ishte një hipotezë e papranueshme: “Të 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB kanë nënshkruar deklaratën për papranueshmërinë e luftës bërthamore. Ky është parimi ynë, ky është pozicioni ku bazojmë gjithçka. Por, rreziqet tani janë të konsiderueshme. Nuk do të doja t’i rrisja artificialisht rreziqet. Shumë duan ta bëjnë. Rreziku është serioz dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë”. 

Lavrov akuzoi NATO-n se po përfshihej në një luftë me Rusinë, duke furnziuar Ukrainën me armë: “Këto armë do të jenë një shënjestër legjitime e ushtrisë ruse, brenda kontekstit të operacionit special. Në thelb, NATO po përfshihet në një luftë me prokurë me Rusinë dhe po armatos përfaqësuesin e vet. Lufta është luftë”.

Por, me gjithë tonet shqetësuese, Lavrov u shfaq më pozitiv sa i përket mundësisë së një marrëveshjeje për paqen. Konflikti do të mbyllet me një ujdi, sipas tij, por përmbajtja e saj do të varet nga situata ushtarake. Ministri i Jashtëm rus akuzoi presidentin Volodymyr Zelensky se po pretendon se po negocion, duke e quajtur atë një aktor të mirë.

Në një reagim pas deklaratës së Lavrovit, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, tha se Rusia po përpiqet të frikësojë Perëndimin për mbështetjen ndaj Kievit, pasi po e ndjen disfatën në Ukrainë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos