
Pas kërcënimeve, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ul tonet ndaj Kosovës. Gjatë një takimi në Beograd me kryetarin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, ai foli për paqe, ndërsa disa orë më herët paralajmëronte me bllokim të veriut të Kosovës nëse Prishtina do të vijonte me planin për konfiskimin e automjeteve me targat e vjetra pas 31 tetorit. “Paqja dhe ulja e tensioneve janë detyra kyçe për të gjithë ne. Serbia është ushtarakisht neutrale, por do të vazhdojë bashkëpunimin korrekt me NATO-n”, tha Vuçiç
Për të shmangur një skenar me rikthim të tensioneve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës rinovuan thirrjet për qeverinë e Kosovës që të shtyjë afatin e fundit për çështjen e targave. Ambasadori i Uashingtonit në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, kërkuan që vendimi të mos shoqërohet me konfiskime apo gjoba. “Është e rëndësishme që të shmangim tensionet dhe të shtyhet zbatimi i rregullave të targat e reja. Ne dënojmë gjithashtu veprimet për frikësim ose hakmarrje ndaj atyre që kanë ndërruar targat”, tha Hovenier.
Bisedën me zyrtarin e DASH e konfirmoi dhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por sinjalizoi se nuk do të shtyjë vendimin për targat. “Ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, tha Kurti.
Tensionet kanë filluar të ndizen. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk u lejua që të shkonte në Beograd ku do të merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare dhe u kthye nga autoritetet serbe për shkaqe sigurie. “Kjo për neve është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme për normalizim. Është absurde që një konferencë për sigurinë Serbia të pranojë publikisht njerëz që kanë elemente kriminale që cenojnë sigurinë dhe të pranoj se është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”, tha ai.
Në veri të Kosovës situata është edhe më e nxehtë. Në ditët e fundit janë raportuar automjete të djegura, ndërsa është arrestuar edhe një person i komunitetit serb, i cili posedonte armë, municione, para dhe granata dore. (A2 Televizion)