
Një zhvillim pozitiv i ka cilësuar deputeti demokrat Luan Baçi ngjarjet e fundit kolegëve të tij në atë që është cilësuar si Partia Demokratike zyrtare.
I ftuar këtë të martë në “Debat”, Baçi deklaroi se tashmë ish-kryetarit Lulzim Basha i kanë mbetur vetëm një numër shumë i vogël deputetësh që e mbështesin.
“Grupi i deputetëve që vazhdon të mbështesë Bashën janë me gishtat e dorës. Pjesa e tjetër konteston fuqishëm mënyrën sesi Basha kërkon të uzurpojë sërish kreun e partisë.”
Baçi foli po ashtu për një bashkim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas tij, janë 49 deputetë përballë rreth 10 ligjvënësve të tjerë që mund të mbështetin ish-kryedemokratin Basha.
“Nuk i lëmë më hapësirë diskutimi, as gjykatës që po e mban peng. Po zvarrit gjyqin e PD-së,” shtoi ai.
Teksa theksoi se grupimi në të cilin ai bën pjesë nuk do të bashkëpunojë asnjëherë me Lulzim Bashën, Luan Baçi shtoi se nëse ai do të rikthehet sërish në krye të PD-së, “Rithemelimi” mund të dalë me një emër të ri dhe të vijojë me “historinë dhe shumicën e demokratëve.” (A2 Televizion)