
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhen trajtuar së bashku në procesin e integrimit, me qëllim që bisedimet të ecin sa më shpejt”. Kështu tha në një intervistë për A2 CNN ambasadori gjerman Peter Zingraf, i cili komentoi gjithashtu dhe iniciativën për legalizimin e kanabisit e amnistinë fiskale, ndërsa një thirrje e pati dhe për demokratët.
Pikëpyetjet që u ngritën mbi qëndrimin e Gjermanisë për ndarjen nga Maqedonia e Veriut për çështjen e negociatave, ambasadori gjerman në Shqipëri u jep përgjigje në A2 CNN. Peter Zingraf thotë se rrugëtimin e Shqipërisë në BE e sheh me Maqedoninë e Veriut, dhe kjo për disa arsye.
“Në vitin 2020, iu desh Maqedonisë së Veriut të presë Shqipërinë, tani jemi në një situatë të ndërsjellë. Mendoj se Maqedonia e Veriut e ka merituar që kundrejt saj të tregohet solidaritet. Ne duhet të punojmë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i trajtojmë të dyja vendet së bashku dhe shpresojmë ta bëjmë këtë me qëllimin që bisedimet e anëtarësimit të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Zingraf.
Për nismën e re të qeverisë mbi legalizimin e kanabisit, Zingraf kërkon kujdes, pasi, sipas tij, kjo vendimmarrje duhet të bëhet duke pasur parasysh disa kritere: “E rëndësishme është që në momentin që merret një vendim mbi këtë çështje do të ishte mjaft mirë nëqoftëse kjo vendimmarrje do të përgatitej në mënyrën e duhur, me konsulencën e duhur, dhe transparencën e duhur, duke mos lënë pas dore çështje të tilla mjaft të rëndësishme, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Rregullat qeverisë, Zingraf ia kujton edhe për projektin tjetër, atë të amnistisë fiskale ndaj emigrantëve: “Kjo është një temë shumë komplekse. Këtu është mjaft e rëndësishme përgatitja. Pyetja kryesore që do të ishte legjitime, do të ishte: “Si do të mund të arrinim që sa më shumë qytetarë t’i përfshinim në sistemin fiskal dhe sistemin tatimor?” Edhe këtu do të ishte me rëndësi thelbësore një përgatitje vërtetë e thellë dhe transparente, në mënyrë të tillë që probleme sikundër janë pastrimi i parave dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të mos pengohen nga procese të tilla”.
Në intervistën për A2 CNN, ambasadori gjerman komenton situatën brenda selisë blu, duke kërkuar që udhëheqja e re e PD-së të jetë e orientuar nga e ardhmja: “Çdo sistem demokratik funksional ka nevojë për një opozitë të fortë, pikërisht për të ushtruar funksionin e kontrollit ndaj qeverisë për të realizuar siç duhet reformat rreth të cilave jemi duke folur, apo projekte të rëndësishme në kuadër të këtyre reformave, në mënyrë që zgjedhësit të kenë mundësi të zgjedhin ashtu siç duhet. Zgjedhjet e ardhshme janë përpara derës, janë shumë afër”.
Gjithashtu, dëshiroj që kjo parti të mund të gjejë një udhëheqje që të jetë orientuar nga e ardhmja dhe që të mund të flitet më pak rreth personave të caktuar dhe më shumë rreth përmbajtjeve.
Zingraf shpreh dëshirën e zgjidhjes së debatit të brendshëm në PD, ndërsa kërkon që ajo të vijë në përputhje me standardet ligjore.
Intervista e plotë
A2 CNN: Përkrahja e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE u konfirmua vetëm pak ditë më parë nga Kancelari Scholz në takimin me Kryeministrin Rama. Si e komentoni qasjen e qeverisë për ndarjen e rrugëtimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, nëse vetoja bullgare nuk hiqet? Sipas jush, a mund të konsiderohet nga BE-ja?
Zingraf: Që në fillim të vitit 2021 është thënë prej të gjitha shteteve anëtare të BE-së, se kushtet e vendosura për Shqipërinë në kuadër të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, ishin plotësuar.
Ky është dhe pozicioni i Gjermanisë. Në këtë kontekst, për fat të keq, u shfaq në një moment të caktuar dhe problemi dypalësh mes Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky është një problem për zgjidhjen e të cilin ne jemi duke bashkëpunuar me të dyja shtetet partnere tonat. Çështjet dypalëshe nuk do duhej të ishin pjesë e këtij procesi, por ne duhet të jetojmë me këtë fakt tani dhe të përpiqemi ta zgjidhim.
Në 2020-n, iu desh Maqedonisë së Veriut të presë Shqipërinë, tani jemi në një situatë të ndërsjellë. Mendoj se Maqedonia e Veriut e ka merituar që kundrejt saj të tregohet solidaritet. Presidenca franceze e Këshillit Europian është deklaruar e gatshme që do të jetë e disponueshme për të thirrur dhe organizuar një konferencë anëtarësimi edhe në terma afatshkurtra kohore. Ne duhet të punojmë në këtë drejtim në mënyrë që t’i trajtojmë të dyja vendet së bashku dhe shpresojmë ta bëjmë këtë me qëllimin që bisedimet e anëtarësimit të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
A2 CNN: Në Shqipëri po diskutohet së fundmi për legalizimin e kanabisit mjekësor. Përbën shqetësim kjo për Gjermaninë? Nisur nga problemet qe ka pasur vendi me këtë fenomen vitet e fundit, mendoni se ka rrezik që të dalë jashtë kontrollit?
Zingraf: Unë mendoj që i tërë debati mbi çështjet e legalizimit të kanabisit apo të drogave të tjera për qëllime mjekësore, sikundër kultivimi i kësaj bimësie për qëllime është një problem që trajtohet në mënyra të ndryshme nga shtete të ndryshme të Bashkimit Europian. E rëndësishme është që në momentin që merret një vendim mbi këtë çështje do të ishte mjaft mirë në qoftë se kjo vendimmarrje do të përgatitej në mënyrën e duhur me konsulencën e duhur dhe transparencën e duhur, duke mos lënë pas dore çështje të tilla mjaft të rëndësishme, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
A2 CNN: Një tjetër projekt qe ka njoftuar Qeveria është amnistia për paratë e emigrantëve, ndonëse një gjë e tillë është kritikuar më parë nga institucionet ndërkombëtare. Përbën shqetësim kjo për Berlinin? A është një rrezik për pastrimin e parave të grupeve kriminale, apo ka vërtetë emigrantë, për shembull në Gjermani, që kanë para në të zezë, por me punë të ndershme?
Zingraf: Më lejoni të them lidhur me këtë… Të them të drejtën nuk kam një lloj panorame të përgjithshme lidhur me atë se çfarë bën secili qytetar shqiptar që ka emigruar në Gjermani. Mendoj që pjesa më e madhe e tyre sigurisht janë në profesione aktivë, të cilat janë të rregulluara në ligj dhe janë veprimtari të ligjshme. Kjo është një temë shumë komplekse. Këtu është mjaft e rëndësishme përgatitja. Pyetja kryesore që do të ishte legjitime, do të ishte “Si do të mund të arrinim që sa më shumë qytetarë t’i përfshinim në sistemin fiskal dhe sistemin tatimor?” Edhe këtu do të ishte me rëndësi thelbësore, një përgatitje vërtetë e thellë dhe transparente, në mënyrë të tillë që probleme sikundër janë pastrimi i parave dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të mos pengohen nga procese të tilla.
A2 CNN: Konflikti mes dy grupimeve në PD ka mbajtur pezull punën për dy reforma, zgjedhore dhe territoriale, të mbështetura më herët edhe nga Gjermania. A përbën pengesë për ju ky konflikt për të vazhduar mbështetjen ndaj këtyre reformave? Cilin nga dy grupimet njihni dhe a do të bashkëpunonit me Sali Berishën nëse ai vjen në krye të Partisë Demokratike.
Zingraf: Në fakt çështjet lidhur me statusin e brendshëm të Partisë Demokratike nuk do të kisha shumë dëshirë t’i përgjigjesha, pasi janë çështje të brendshme rreth të cilave ka dhe një proces gjyqësor në vijim. Megjithatë, më lejoni të them disa gjëra, çdo sistem demokratik funksional ka nevojë për një opozitë të fortë, pikërisht për të ushtruar funksionin e kontrollit ndaj qeverisë për të realizuar siç duhet reformat rreth të cilave jemi duke folur, apo projekte të rëndësishme në kuadër të këtyre reformave, në mënyrë që zgjedhësit të kenë mundësi të zgjedhin ashtu siç duhet. Zgjedhjet e ardhshme janë përpara derës, janë shumë afër. Unë dëshiroj shumë që Partia Demokratike të mund t’i zgjidhë këto debate të brendshme të saj, sepse ajo është shumë e nevojshme për gjithë sistemin si partia më e rëndësishme e opozitës. Shpresoj që të gjitha këto çështje të mund të zgjidhen, sipas të gjitha standardeve të shtetit ligjor. Gjithashtu, dëshiroj që kjo parti të mund të gjejë një udhëheqje që të jetë orientuar nga e ardhmja dhe që të mund të flitet më pak rreth personave të caktuar dhe më shumë rreth përmbajtjeve. (A2 Televizion)