Hashim Thaçi lë qelinë në Hagë dhe kthehet në Kosovë

Nga A2 CNN
29 Maj 2023, 17:10 | Kosova
Hashim Thaçi lë qelinë në Hagë dhe kthehet në

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lënë për disa orë qelinë në Hagë dhe ka shkuar në Kosovë. Shkak është bërë gjendja shëndetësore jo e mirë e nënës së tij, e cila për 5 ditë ka qenë e shtruar në spital.

Referuar mediave të Kosovës, Thaçi ka qenë i rrethuar nga forca të shumta policie, e ndërsa zona përreth shtëpisë së tij ka qenë nën masa të rrepta sigurie, ku është bllokuar rrjeti i internetit dhe telefonisë. Nga sa mësohet, Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.

Vizitën e Thaçit e ka konfirmuar edhe Gjykata Speciale.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen, të cilët bëjnë me dije se Thaçi do të kthehet në Hagë me një fluturim rreth orës 18:00 të ditës së sotme.

Ish-presidenti i Kosovës akuzohet për krime lufte dhe aktakuzat iu konfirmuan tetorin e vitit të kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos