Ndërpriten reshjet, problem ngricat dhe furnizimi me energji elektrike

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2021, 10:31 | Aktualitet
Ndërpriten reshjet, problem ngricat dhe furnizimi me energji elektrike

Pas një fundjave me reshje shiu dhe dëbore që përfshinë të gjithë vendin, e hëna ka sjellë një përmirësim si të kushteve atmosferike, ashtu edhe të situatës në terren.

Në Novoselë, Vjosa është tërhequr në shtratin e saj, duke mos zgjeruar hartën e përmbytjeve, si pasojë e të cilave u përmbytën disa dhjetëra banesa, ndërsa u evakuuan edhe familje.

Edhe në Gjirokastër, lumenjtë dhe përrenjtë kanë ulur prurjet duke përmirësuar situatën e krijuar një ditë më parë.

Ndërkohë në juglindje të vendit reshjet e dëborës kanë pushuar duke i lënë vendin ngricave. Aktualisht, në këto zona problematika shfaqet në furnizimin me energji elektrike. Shumë fshatra kanë mbetur pa furnizim me energji për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit, të cilat në pjesën më të madhe janë linja të vjetra.

Gjithashtu, në rrugët rurale, problem mbetën ngricat në rrugë, ndërsa në akset rurale autoritetet rekomandojnë që drejtuesit e mjeteve të jenë të kujdesshëm dhe të kenë me vete pajisjet dimërore.

Rrugët po kriposen në mënyrë që të shmanget krijimi i akullit, pasi edhe në ditët në vazhdim temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta dhe në zonat malore disa gradë nën zero.

Edhe në veri të vendit reshjet kanë shkaktuar probleme në disa fshatra të qarkut të Kukësit, ku edhe atje ka problem me furnizimin me energji elektrike.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos