
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga Ura e Mifolit në Fier, një nga pikat më kritike të përmbytjeve në vend, ka bërë edhe një bilanc të ditës së sotme.
“Ura e Mifolit ka qenë dhe situata më kritike gjatë ditës së sotme. Është një fryrje e ujërave të lumit të Vjosës i cili ka shkaktuar përmbytje disa qindra hektarë në zonën e Fierit dhe të Vlorës, por le të themi që është shmangur më e keqja krahasuar me skenarët e viteve të kaluara, ku prurjet nuk kanë qenë në këto nivele, flasim për disa qindra hektarë të përmbytura jo disa mijëra siç ka qenë fundi i vitit 2017 dhe fillimi i vitit 2018”.
Ministri falënderoi forcat e bashkive, policin e shtetit, dike njoftuar se janë tashmë ndritur ngritur strukturat dhe ku forcat Armatosura ndodhen në gatishmëri.
“Rreth 30 familje janë evakuuar për të shmangur çdo lloj dëmi, këto raste emergjencash kemi të parin jetën e njeriut, pastaj pasurin dhe gjënë e gjallë, kemi bërë maksimumin dhe nuk kemi bilance dramatike, i kemi shmangur ato.
Peleshi përmendi edhe faktin qe sipas tij, pa ndërtimin e argjinaturave vitet e fundit në fshatin Fitore dhe në Cerben “ne do kishim disa mijëra hektarë tokë të përmbytura”.
Peleshi deklaroi se situata të paktën në atë zonë është në përmirësim, me nivelin e ujit që ka rënë duke të paktën 50 centimetra, ndërkohë që hidrovorët janë në funksion.
Për emergjencat e tjera, Peleshi përmendi reshjet e dëborës që kanë izoluar fshatra të ndryshme në veri dhe në jug-lindje, por nënvizoi se “asnjë rrugë nacionale nuk është bllokuar”. (A2 Televizion)