Ndërtime pa leje në Lushnjë, procedohen zyrtarë të IMT-së

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 13:29 | Kronikë
Ndërtime pa leje në Lushnjë, procedohen zyrtarë të

Zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit akuzohen si të përfshirë në disa raste korrupsioni në Lushnjë. 8 persona janë pezulluar nga detyra dhe iu është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Sipas prokurorisë lokale, gjithçka nisi pas një hetimi për shkelje në restaurimin e një objekti në Ardenicë.

Masat e caktuara nga Prokuroria Lushnjë

1. Gj.M. - detyrim paraqitje

2. I.B. - Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe detyrim paraqitje

3. K.S. - Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe detyrim paraqitje

4. Xh.Z. - Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe detyrim paraqitje

5. H.T. - Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe detyrim paraqitje

6. B.H. - Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik dhe detyrim paraqitje

7. P.T. - Detyrim paraqitje

8. E.Sh. - Detyrim paraqitje

“Gjatë hetimeve të çështjes penale nr. 807, viti 2021, janë dokumentuar edhe raste të tjera ndërtimesh të kundërligjshme të kryera deri në muajin mars 2022, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (A.M.P), u dokumentua një episod korrupsioni aktiv/pasiv mes shtetasve E.Sh. e P.T. dhe shtetasve B.H. e H.T., këta të fundit me detyrë punonjës të policisë”, thotë prokuroria.

“Nga tërësia provave, provohet se, shtetasi Gj.M, me detyrën e ish kryeinspektorit të I.M.T.Bashkia Lushnjë, si dhe shtetasit I.B., K.S. dhe Xh.Z., me detyrën e inspektorëve të I.M.T., Bashkisë Lushnjë, nuk kanë ushtruar detyrën e tyre në përputhje me ligjin për të paktën 29 (njëzet e nëntë) raste të ndërtime pa leje (nga këto dy në kundërshtim me deklaratë për miratimin e punimeve) të kryera në territorin administrativ të Bashkisë Lushnjë gjatë periudhës janar 2021 - mars 2022.

Nga këto, për 20 (njëzet) ndërtime të kundërligjshme të kryera në emër të subjekteve të ndryshëm, nuk janë mbajtur procesverbale konstatimi të kundërvajtjes, vendime për dënime me gjobë apo vendime për prishje objekti të paligjshëm nga I.M.T., Bashkia Lushnjë, ndërsa për 9 (nëntë) ndërtime të kundërligjshme në emër të shtetasve të ndryshëm janë marrë masa administrative pas vënies në dijeni të ndjekjes së këtyre rasteve nga organet hetimore, pas informacionit të kërkuara nga prokuroria lidhur me to. Po ashtu, në asnjë rast nuk janë përpiluar kallëzime penale ndaj subjekteve ndërtues, sikur kërkohet nga ligji.

Në këtë mënyrë, personat e mësipërm nuk kanë përmbushur detyrimet e parashikuara në ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 "Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e paligjshme" i ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i ndryshuar, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera, duke përdorur mjete të posaçme të kërkimit të provës, ka rezultuar edhe një episod korrupsioni aktiv/pasiv, ku konkretisht, në datën 25.02.2022, punonjësit e policisë H.T. dhe B.H., në shërbim në vendin e quajtur "Gosë", Kavajë, kanë ndaluar mjetin kamionçinë "Ford Transit", nën drejtimin e shtetasit E.Sh., dhe pas kontrollit të dokumentacionit kanë konstatuar mungesë të policës së sigurimit për mjetin. Në këto kushte, punonjësit e policisë duhet të procedonin me masë administrative drejtuesin e mjetit. Përndryshe, këta punonjës policie kanë kryer ndërveprime korruptive me drejtuesin e mjetit E.Sh. dhe pronarin e mjetit P.T. dhe më pas e kanë lejuar të largohet pa e proceduar/gjobitur administrativisht sipas ligjit.

Organi i akuzës vazhdon hetimin në drejtim të funksionarëve të tjerë të përfshirë në veprimtari që bien ndesh me ushtrimin e rregullt të detyrës apo të personave të ndryshëm që kanë shkelur ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos