
Ngjarjet kriminale në vend, shumica prej tyre ende të pazbardhura, sollën dhe ndryshimet në radhët e policisë, duke bërë që një pjesë e qarqeve problematike të ndryshojnë tërësisht sa i përket drejtimit të tyre.
Lëvizjet u bënë të ditura nga Policia e Shtetit, ku ndryshime ka pasur në 10 drejtori vendore, përjashtuar Tiranën dhe Gjirokastrën. Ajo që bie në sy është largimi i Niko Brahimajt nga drejtimi i Shkodrës dhe emërimi në Policinë Shkencore. Vendin e Brahimajt në Shkodër e merr Skënder Hita, i cili më parë ka mbajtur postin e zv/drejtorit në këtë qark.
Dhimitraq Ziu, nga kreu i Rendit në Policinë e Tiranës, shkon në radhët e Policisë Rrugore, ndërsa Elbasani do të drejtohet nga Gjovalin Loka. Vendin e tij në Policinë e Shtetit e merr Neritan Nallbati, më parë drejtor i Policisë së Beratit.
Një tjetër ndryshim i cili pritet të ketë efekt në parandalimin e krimit është dhe transferimi i shefit të komisariatit nr.2 në Tiranë, Olton Bistri, në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Ardian Çipa, deri tani në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet drejtor i Policisë Korçë.
Këto lëvizje ishin parashikuar që të ndodhnin në muajin shtator, por ngjarjet e fundit kriminale përshpejtuan procesin e paralajmëruar dhe nga ministri i Brendshëm. Një javë më parë, Bledi Çuçi tha se ristrukturimi i policisë do të prekë dhe komisariatet.
Njoftimi i Policisë
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Skënder Hita transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Bledar Çeliku transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Ferdinant Mara transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Gjovalin Loka ish-Drejtori i Departamentit për Sigurinë emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Lorenc Shehu transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Nr 2 në Tiranë Oltion Bistri transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ardian Çipa deri tani në Akademinë e Sigurisë transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Hamdi Fjore deri tani zv.dr i DVP Korçë transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore, transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Dhimitraq Ziu deri tani zv.drejtor për sigurinë në DVP Tiranë , transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Rrugore.
Luigj Vathi drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë deri tani transferohet dhe emërohet Zv.drejtor për sigurinë ne DVP Tiranë.
Neritan Nallbati deri tani drejtor i DVP Berat transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Niko Brahimaj transferohet dhe emërohet Drejtor i Institutit të Policisë Shkencore.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të luftuar maksimalisht krimin e organizuar dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët. (A2 Televizion)