
Ndryshon ndeshja që inauguron startin e Botërorit 2022. Edhe pse si traditë është ekipi organizator, që pozicionohet direkt në Grupin A dhe zhvillon ndeshjen e parë të eventit, këtë herë gjithçka ndryshon. Takimi i parë nuk do të jetë ai ndërmjet vendasve të Katarit dhe Ekuadorit, por në fushë do të zbresin Senegali dhe Holanda. Sfida hapëse do të luhet më 21 nëntor në stadiumin Al-Thumama, duke nisur prej orës 12 shqiptare.
Kalendari i ditës së parë të Kupës së Botës do të vijojë me përballjen ndërmjet Anglisë dhe Iranit, në stadiumin al Khalifa International në orën 15:00, ndërsa Katari sfidon Ekuadorin prej orës 18:00. Në fund, në orën 21:00 është parashikuar ndeshja ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe ekipit që do të kualifikohet nga faza play-off, ku në garë janë Uellsi dhe fituesja e duelit Skoci-Ukrainë. FIFA nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ndryshimin e ndeshjes së parë.
Një prej datave që padyshim duhet të mbani shënim është27 nëntori, kur në orën 21 Spanja ndeshet me Gjermaninë, në duelin ku pritet të përcaktohet fituesi i Grupit E. Mjaft interesante edhe sfida e 30 nëntorit në Grupin C, ku Lewandowski do të sfidojë Lionel Messin në ndeshjen Poloni-Argjentinë. (A2 Televizion)