Në Ballkan dëbora ikën më shpejt nga sa erdhi, kthehet pranvera

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 15:13 | Aktualitet
Në Ballkan dëbora ikën më shpejt nga sa erdhi, kthehet

Reshjet e dëborës kanë zbardhur brigjet perëndimore të Ballkanit në kulmin e pranverës. Kjo ngjarje atmosferike është e rrallë, por jo e jashtëzakonshme për gadishullin e Ballkanit.

Në të shkuarën, janë vrojtuar reshje dëbore në prill apo maj, por thyerja e fushës termike me 25°C në vetëm 16 orë, është një ngjarje shumë e rrallë në rajonin tonë. Qytetet në skajet veriore të Ballkanit regjistruan temperatura 0°C mesditën e djeshme, ku vetëm një ditë më parë temperaturat shënuan deri 25°C.

Banorët e Hungarisë, Austrisë dhe më poshtë në Slloveni-Kroaci kanë shijuar dëborën në zonat e ulëta dhe ato bregdetare, ndërsa në jug të Ballkanit dëbora mundi të zbresë në 800 metra lartësi.

Por çudia nuk mbaron me acarin e menjëhershëm; do të mjaftojnë vetëm 24 orët e ardhshme për të rikthyer pranverën në të gjithë Ballkanin; madje fundjava rikthen diellin dhe temperaturat mbi 25°C në të gjithë rajonin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos