Shqipëria po përpiqet të gjejë tregje të reja ekonomike, ndërsa Japonia ka shpallur ambiciet për investime në Ballkanin Perëndimor. Për ekspertë të ekonomisë ky mund të jetë një rast i mirë i Shqipërisë për të përfituar. Aktualisht dy vendet nuk janë shumë të lidhura si në rrafshin e shkëmbimeve tregtare ashtu edhe te investimeve.
“Ne synojmë që nëpërmjet bashkëpunimit më të madh ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë të rrisim numrin e investimeve, duke synuar që edhe investimet e mëdha që po ndodhin, infrastrukturore në vend, të kenë bashkëpunim me Japoninë dhe të ketë pjesëmarrje të kompanive japoneze, të cilat treguan një interes të lartë”, deklaroi ditë më parë Delina Ibrahimaj i ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Bëhet fjalë për ekonominë e tretë më të madhe në botë, Japoninë, shtetin ishullor në Azinë Lindor. Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor i vendit me 126 milionë banorë është rreth 5 trilion dollarë, apo 278 herë më i lartë se ai i Shqipërisë.

“Ka një potencial bashkëpunimi. Ka një potencial për të maksimizuar të gjitha potencialet që vendet tona disponojnë”, deklaron për A2 CNN eksperti Pano Soko.
Aktualisht Shqipëria dhe Japonia janë pak të lidhura. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ndonëse me rritje në dy vitet e fundit, eksportet e mallrave mbeten ndjeshëm poshtë niveleve nëse i krahasojmë me vendet e tjera. Importet ndërkohë thuajse nuk kanë ndryshuar në 5 vitet e fundit duke u luhatur në rreth 25 milionë euro.

“Ka një problem shumë të madh. Largësia e tregut i bën produktet shumë të shtrenjta. Mineralet mund të zgjonin interesin e Japonisë, por nafta shqiptare është në sasi të papërfillshme për vendin aziatik”, shton Soko.
Ecuri të ngjashme kanë pasur edhe investimet japoneze vitet e fundit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se flukset e investimeve nga vendi aziatik kanë qëndruar në rreth 1 milionë euro vitet e fundit. Mirëpo këtu sipas ekspertit të ekonomisë, Pano Soko, ndryshe nga shkëmbimet tregtare, mund të ketë një rritje të konsiderueshme në vijim veçanërisht në turizëm apo bujqësi.

“Një fushë tjetër ku ne mund të bashkëpunojmë është fusha e IT-isë. Japonia është lider në kë drejtim”, evidenton ai.
Një delegacion i Qeverisë së Shqipërisë kreu një vizitë zyrtare në Tokio fund-muajin e shkuar. Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida lajmëroi ambiciet e vendit të tij për shtrirje të aktivitetit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)