Çdo ditë qindra, madje mijëra emigrantë mbërrijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, nga Meksika. Karvanët me azilkërkues jo vetëm nga shteti fqinj, por edhe të shteteve të tjera nga Amerika Qendrore dhe ajo e Jugut vazhdojnë të vërshojnë, pavarësisht debatit të flaktë në Uashington mbi ndërtimin e murit dhe krizës së emigrantëve.
Së fundmi, listës i janë shtuar edhe azilkërkues nga Kuba, të cilët kanë ringjallur dëshirën për të prekur “ëndrrën amerikane”, të frymëzuar nga refugjatët e tjerë.
Por në shumicën e rasteve, siç dëshmojnë edhe fotot e agjencisë Reuters, ëndrra kthehet në makth në kufi, pasi oficerët kanë shtuar praninë dhe kalimi në mënyrë të paligjshme është bërë thuajse i pamundur, ndërsa procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil detyrojnë burra, gra e fëmijë që të presin me javë të ngecur mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)