
Numri i azilkërkuesve në Shqipëri është rritur. Krahas tyre, në vend pritet të vijnë edhe rreth 3 mijë shtetas afgan, çka ka detyruar ekzekutivin të nisë procedurat për shtimin e kapaciteteve pritëse në qendrën e azilkërkuesve në Tiranë.
Prej më shumë se një jave, qeveria shqiptare është angazhuar për pritjen e rreth 3 mijë shtetasve afganë. Gjetja e një vendqëndrimi për ta ka nxitur qeverinë që të ndryshojë fondet e Ministrisë së Brendshme me qëllim rikonstruksionin e qendrës së azilkërkuesve në Shqipëri: “Kryerjen e procedures së prokurimit me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë”.
Qeveria është koshiente se situata me azilkërkuesit mund të agravojë dhe i ka lënë detyra konkrete se si duhen shpenzuar 6,7 milionë lekët e alokuara: “Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës”.
Krahas afganëve, Shqipëria prej disa vitesh është bërë vendkalim i shtetasve që duan të largohen nga vendet e luftës si Siria apo Iraku. (A2 Televizion)