
Javën e dytë të izolimit, qytetarët i kanë kufizuar daljet e tyre për nevoja të domosdoshme. E tillë është shlyerja e faturave të energjisë.
Ndonëse pagesat mund të bëhen në postë, ose nga shtëpia përmes aplikacioneve bankare, sportelet e Kujdesit ndaj Klientit të OSHEE vijojnë të presin dhjetra qytetarë.
Pagesat “online”, që do t’u kursenin qytetarëve daljet nga shtëpia, nuk janë të mundshme për gjithkënd.
“Nuk kemi mundësi t’i paguajmë “online”. Nuk dimë, kështu që jemi të detyruar të dalim”, thonë qytetarët.
Pavarësisht situatës, qytetarët kanë detyrim të paguajnë faturat e energjisë elektrike. E vetmja lehtësi e dhënë nga qeveria në këtë drejtim është falja e kamatëvonesave që debitorët kanë për periudhën deri në 31 dhjetor 2019. (A2 Televizion)