Negociatat e anëtarësimit, Soreca: Bashkohuni dhe përgatituni për pranverën

Nga A2 CNN
20 Janar 2020, 14:41 | Politikë
Negociatat e anëtarësimit, Soreca: Bashkohuni dhe përgatituni

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, tha se presidenca kroate e Unionit është një garanci më shumë se Ballkani Perëndimor do të jetë në fokusin e Brukselit.

Zgjerimi nuk do të pengohet nga reformimi i metodologjisë së këtij procesi, tha ai, ndërsa shpjegoi prioritetet e presidencës kroate. Shqipërisë, nga ana tjetër, i kërkoi të bashkojë forcat për takimet e pranverës, me qëllim hapjen e negociatave.

“Pas Samitit të Zagrebit, Komisioni do të miratojë Raportin Vjetor të tij. Prioriteti duhet të jetë në përpjekjet shtesë që mbeten për t'u arritur, për të bindur të gjitha shtetet anëtare, domethënë përqendrimi në kryerjen e reformave. Në krye të axhendës së integrimit në BE janë: vazhdimi i krijimit të institucioneve kryesore të reja gjyqësore, të ketë një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale, miratimi i akteve nënligjore për mbrojtjen e minoriteteve dhe në fund miratimi i një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ne jemi të kënaqur që është arritur përparim në çështjen e fundit dhe Komisioneri Várhelyi, i cili ishte me ne të enjten e kaluar, inkurajoi të gjitha palët të arrijnë një marrëveshje para mesit të marsit. Për këtë, nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për t'u bashkuar për përfitimin dhe interesin e të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk ka mbetur shumë kohë para datave kyçe të pranverës. Do të ishte gabim që Shqipëria të mos përqendrohej për të bërë gjithçka, gjatë muajve të ardhshëm, për ta paraqitur veten plotësisht të përgatitur”, tha Soreca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos