Negociatat Kosovë-Serbi, Osmani: SHBA nuk ka kërkuar kurrë që Prishtina të heqë dorë nga njohja reciproke

Nga A2 CNN
23 Tetor 2022, 13:54 | Kosova
Negociatat Kosovë-Serbi, Osmani: SHBA nuk ka kërkuar kurrë

Pranimi i propozimit franko-gjerman, Osmani i përgjigjet Escobarit

Kërkesa që njohja reciproke të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale me Serbinë është domosdoshmëri, dhe tërheqjen e saj Kosovës nuk ia kanë kërkuar as Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian. Kështu ju përgjigj presidentja Vjosa Osmani pyetjes së gazetarëve lidhur me deklaratat e të dërguarit të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar që Kosova të mbështesë propozimin franko-gjerman për normalizimin e raporteve me Serbinë, që nuk përfshin njohjen reciproke.

“Nuk ka pasur kërkesë, qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga partnerët e tjerë brenda BE-së asnjëherë që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke, sepse të gjithë e kuptojnë që ajo është domosdoshmëri që e përmbyllë një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ngjarë në këto dekada në Ballkanin Perëndimor, që kanë qenë luftëra të tmerrshme të iniciuara dhe të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë”, tha Osmani.

Sakaq, kryeministri Albin Kurti deklaroi më herët se Kosova nuk do të lejojë prekjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Gjatë një fjalimi në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti foli për luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se “ashtu siç veproi Serbia dje” me luftërat në Ballkanin Perëndimor, ashtu “po vepron Rusia sot”.

“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve”, Kurti tha se Serbia dhe Rusia kanë lidhje historike e kulturore, “në linjat e autokracisë e të despotizmit, të agresionit dhe gjenocidit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos