Zgjedhja e Presidentit, opozita propozon emra deri në raundin e tretë

Nga A2 CNN
18 Maj 2022, 10:54 | Politikë
Zgjedhja e Presidentit, opozita propozon emra deri në raundin e tretë

Tym i bardhë nga Kryesia e Kuvendit.Pas një ore e 20 minutash diskutime, mazhoranca dhe opozita arritën konsensusin e parë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Grupi negociator i Partisë Socialistëve pranoi të tërhiqet nga prezantimi i kandidaturave në dy raundet e ardhshme, duke ia lënë këtë të drejtë vetëm opozitës, siç kërkohej nga demokrati Enkelejd Alibeaj.

Marrëveshja erdhi pas insistimit edhe të opozitarëve të tjerë në tryezë. Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Agron Duka detyruan Alibeajn të pranonte që diskutimi të kalonte te kandidaturat konkrete. 

Përballë skepticizmit të opozitarëve, mazhoranca kërkoi që sinqeriteti i saj të mos komentohej, por të vihej në provë. 

“Na vini në provë, na sillni emrin. Shihni sa seriozë jemi me këtë proces”, tha Damian Gjiknuri.

Marrëveshja e arritur nuk do të thotë se PS do të pranojë automatikisht propozimet e opozitës. Nëse nuk ka dakordësi për kandidaturat deri në raundin e tretë që kërkojnë shumicë të cilësuar me 84 vota, socialistët më pas do të dalin me propozimet e veta në dy raundet e fundit, që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit të ri me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos