
Debati gjyqësor për njohjen e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 të Partisë Demokratike dhe ndryshimeve të statutit nga Komisioni i Rithemelimit, mbërrin në Gjykatën e Apelit.
Pas ankimimit të bërë nga nënkryetari i PD-së, Enkeled Alibeaj, kundër vendimit të Shkallës së Parë të gjyqtarit Agron Zhukri më 25 mars, që ligjëroi këtë kuvend, në Apel kanë mbërritur edhe dy kërkesa ankimore nga ana e Komisionit të Rithemelimit. E para është kundër ankimit të bërë nga Alibeaj dhe tjetra kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që pranoi Alibeajn si palë në proces.
Këtë të martë, shorti elektronik i Apelit përzgjodhi gjyqtaren Elona Toro, si kryesuese të shqyrtimit. Anëtarë të trupës do të jenë gjyqtarët Edlira Petri dhe Genti Shala. Në ditët në vijim, pritet të caktohet një datë për seancën e parë të çështjes.
Por situata duket se do të komplikohet në Apel, pasi e njëjta trupë gjyqësore, por me kryesues gjyqtarin Shala është shortuar më herët për shqyrtimin e ankimit të bërë nga mbështetësit e Lulëzim Bashës në PD, kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të kuvendit të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit.
Ndërkohë, gati një javë pasi Komisioni i Rithemelimit i kërkoi ILD-së shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça, Gjykata e Apelit iu bëri thirrje palëve politike të mos ndërhyjnë në institucionet e drejtësisë. Sipas Apelit, sulme të tilla, që perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërish.
Ndaj kësaj deklarate të gjykatës reagoi ish-kryeministri Berisha që e cilësoi atë si politike. Sipas tij, diçka e tillë nuk ka ndodhur as në diktaturë dhe dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjen dhe diktimin nga Edi Rama. (A2 Televizion)