
Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, deklaroi se opozita nuk mund të propozojë emra për Presidentin, pa u përcaktuar më parë kriteret.
“Është një proces mjaft delikat. Ndoshta në përceptimin e publikut duken vetëm takimet në Konferencën e Kryetarëve, por ka një dinamikë pothuajse 24 orë, në mënyrë që shqiptarëve t’i dhurojmë një President të të gjithëve. Për ta bërë këtë, duhet të vendosim disa kritere. Kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin moral për ta zgjedhur Presidentin. Prandaj kemi kërkuar që përveç kritereve kushtetuese, të ketë edhe disa kritere të tjera. Pastaj, opozita mund të ofrojë emra. Por, nuk mund të futemi në lojën e emrave duke lënë të hapur pjesën e kritereve”, deklaroi deputeti.
“Nëse mazhoranca nuk bie dakord për kriteret, ne nuk mund të japim emra”, shtoi Agalliu.
Sipas deputetit, opozita nuk po bëhet pjesë e farsës: “Është një proces kushtetues, ku opozita e ka për detyrim të marrë pjesë. Fatkeqësisht, opozita ndodhet në një situatë të tillë për shumë arsye që dihen. Nga ana tjetër, kjo mazhorancë nuk ka treguar në këto 9 vite që t’i shtrijë dorën opozitës, por është një lloj komunikimi i Ramës për të thelluar krizën brenda opozitës. Unë uroj që kolegët e mi të ushtrojnë presion ndaj mazhorancës në këtë proces”. (A2 Televizion)