“Nëse ka marrëveshje, Thaçi dhe Vucic mund të kandidohen për Nobel”

Nga A2 CNN
16 Qershor 2020, 14:10 | Kosova
“Nëse ka marrëveshje, Thaçi dhe Vucic mund të

Kosova dhe Serbia janë pranë një date historike, një takim Thaçi-Vucic në Shtëpinë e Bardhë, që pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare problemeve dhe çështjeve pezull që mbajnë të ndezur tensionet në Ballkan. Për analistin Ben Andoni, në takimin e 27 qershorit, jo më kot është bërë gjithçka që aty të jenë presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë.

“Askush nuk shkon në SHBA nëse nuk ka bërë diçka më parë, nëse nuk është rënë dakord për diçka më parë. Kjo shikohet edhe te fakti që Vucic ka konfirmuar edhe një herë lidhjet me Rusinë”, tha Andoni në Ditarin e orës 13:00 në A2. “Mendoj që do të jetë e dhimbshme pak për Kosovën, dhe pak më shumë për Serbinë”.

https://a2news.com/2020/06/16/takimi-ne-shtepine-e-bardhe-thaci-nuk-do-te-negociojme-per-shkembim-territori/

Sipas Andonit, Thaçi ka një pushtet problematik në Kosovë, njësoj si Vucic në Serbi, madje shumë më tepër. “Me të dy këta njerëz do të shkohet drejt një marrëveshjeje të madhe historike për të dy popujt të cilët kanë luftuar dhe kanë derdhur shumë gjak. Lëshimet që u bëhen këtyre dy liderëve tregon që interesi nuk është moral, por pragmatik, për të zgjidhur punë. Thaçi ka thënë që pas këtij mandati nuk do të kandidojë më, të njëjtën gjë ka thënë edhe Vucic. Ndoshta nëse arrihet që Serbia të heqë Kosovën nga preambula e Kushtetutës dhe Kosova të bëjë lëshimet e saj, nuk është çudi që të dy të kandidohen për çmimin Nobel”, u shpreh ai.

Analisti mendon se bisedat do të jenë jashtëzakonisht të vështira. “Besoj që në raste të tilla, SHBA i ka të kornizuara palët, që do të thotë se të dy palët kanë marrë përsipër të lëshojnë. Ne të gjithë besojmë se do të ketë prekje të territoreve dhe kjo është jashtëzakonisht e dhimbshme. Palët kur shkojnë në Shtëpinë e Baardhë, shkojnë me deklarata të tjera dhe kthehen me deklarata të tjera”.

https://a2news.com/2020/06/16/prishtine-beograd-ne-shba-bytyci-kam-frike-se-ekziston-nje-marreveshjes-moske-uashington/

Megjithatë, sipas Andonit ky nuk do të jetë takimi përfundimtar. “Momenti pozitiv për Kosovën është deklarata e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Dacic, i cili ka thënë se Serbia do të ketë probleme nga kjo marrëveshje. Diçka të tilla e ka thënë edhe më parë zoti Vucic kur ka ardhur nga Uashingtonit. Unë besoj që pesha më e madhe është ndaj Beogradit sesa ndaj Kosovës, vetëm se këtë herë Kosova humbet realisht”, tha ai. “Askush nuk flet sot për atë pjesë të territorit që iu la Malit të Zi. E njëjta gjë nuk është çudi të ndodhë edhe me Serbinë, pasi demarkacioni nuk është bërë ende”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos