
Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rifillimin e dialogut me Serbinë më 27 qershor. Konfirmimi erdhi nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, i cili siguroi se në takimin që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë nuk do të negociohet për shkëmbim territori dhe se nuk do të cenohet sovraniteti i vendit.
Gjithashtu tha se angazhimi i Washingtonit në këtë proces rrit shpresën për përmbyllje të dialogut me një marrëveshje finale me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova gjithmonë ka besuar në SHBA dhe ka dalë fituese. Washingtoni e ka thënë qartë, edhe në letrat e presidentit Donald Trump, që ky proces është për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë për të vazhduar angazhimet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë, në veçanti në OKB”, tha presidenti.
Thaçi nuk konfirmoi nëse nga Washingtoni do të kthehej me një marrëveshje finale me Beogradin, por nënvizoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën. Presidenti shtoi se Kosova nuk kohë për të humbur dhe duhet të lëvizë me shpejtësi drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, NATO dhe Bashkimin Europian. (A2 Televizion)