
Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian do të mbahet të martën në Bruksel, kur nisin zyrtarisht edhe bisedimet për anëtarësimin. Mediat në Shkup, shkruajnë se kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lexojë deklaratën hyrëse, në gjuhën maqedonase.
Menjëherë më pas nis procesi i “screening”, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të tij është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të mbyllë fazën e parë të çeljes së negociatave për anëtarësim. Por në rastin e Shkupit mbajtja e Konferencës së Dytë do të kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë.
Ditën e diel, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan në Sofje, protokollin dypalësh pas një takimi të komisioneve ndërqeveritare, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm nga të dyja vendet, Bujar Osmani dhe Teodora Genchovska. Teksa prezantoi protokollin gjatë një konference të shkurtër për shtyp në Shkup, ministri Osmani theksoi se kishin siguruar që gjuha dhe historia nuk duhet të jenë përcaktues për hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe se negociatat do të nisin tani.
“Republika e Bullgarisë siguroi kushtëzimin e Konferencës së Dytë Qeveritare me amendimet kushtetuese…Ky është kompromisi”, tha Osmani.
Në dokument thuhet se Qeveria e Maqedonisë së Veriut pajtohet që konferenca e ardhshme ndërqeveritare për të përfunduar fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim do të mbahet pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kushtetutë për të përfshirë komunitetet pakicë, përfshirë atë bullgar. Sa i përket gjuhës, Osmani tha se garanton me përgjegjësi morale dhe politike dhe gjuha maqedonase mbetet e pastër, pa fusnota dhe shtesa. (A2 Televizion)