Nga pasardhës i Zidane, në tenist

Nga A2 CNN
19 Janar 2022, 16:36 | Futboll

Quhej “Zizou i vogël” kur ishte i ri, ndërsa sot është tenist, pasi në futboll nuk shkëlqeu, pavarësisht se talenti që kishte bëri që Silvio Berlusconi ta blinte për Milanin e tij, për të zëvendësuar të madhin Kaka.

Po flasim për Yoann Gourcuff, sot 35 vjeç, i cili nuk ka më asnjë lidhje me futbollin. Pasi në sezonin 2006-2007 shënoi dy gola dhe dha 5 asist në 34 ndeshje, mesfushori francez “u fik” dhe kuqezinjtë e kthyen në Francë.

Me Bordeaux, Gourcuff fitoi titullin kampion në sezonin e tij të parë dhe u shpall lojtari më i mirë i ligës franceze, me 15 gola dhe 14 asist. Një sezon i tillë bëri që të grumbullohej nga kombëtarja për Botërorin e vitit 2010, ku në mes të skandaleve të Anelka dhe Evra, ai u përjashtua nga skuadra në ndeshjen e tretë të grupit.

Gjithsesi, Lyon besoi te mesfushori, duke e blerë 22 milionë euro. Por, aty nisën problemet e tij me dëmtimet dhe rënia sportive. Pasi u transferua te Rennes dhe Dijon, Gourcuff luajti ndeshjen e tij të fundit në vitin 2018.

Edhe pse kurrë nuk njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga futbolli, Yoann ka dalë në pension, por vijon të merret me sport. Sipas “Le Télégramme”, 35-vjeçari po luan tenis amator me klubin Larmor-Plage, në Rajonalen 1 të Francës, ku është ende i pamposhtur.

Kështu, edhe pse nuk arriti nivelet e Zinedine Zidane, Gourcuff vijon të tregojë shpirtin e tij kompetitiv në fushën sportive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos