
Interi është konfirmuar si skuadra për t’u mposhtur dhe objektivi është i qartë: tripleta e trofeve në Itali. Pasi kryeson në Serie A dhe fitoi Superkupën ndaj Juventusit, tashmë zikaltërit debutojnë në Kupë.
Në orën 21:00, zikaltrit luajnë në San Siro me Empolin dhe trajneri Simone Inzaghi po vlerëson rrotacionin në skuadër. Qëllimi është t’u jepet lojtarëve pak frymëmarrje, prej kalendarit të ngjeshur të javëve në vazhdim.
Starti me fitore në sfidën e 1/8 do t’i garantonte Interit vendin në çerekfinale, aty ku do të kishte përballë fituesin e çiftit Roma-Leçe. Edhe pse vlerësimi është maksimal, risitë në formacion nuk do të mungojnë, me disa emra të mëdhenj që do të qëndrojnë pushim.
Marcelo Brozovic është i detyruar të mos luajë, prej skualifikimit të mbartur nga edicioni i kaluar i Kupës. Pa kroatin në fushë, ndryshimi është i konsiderueshëm, duke llogaritur se ai ka luajtur gjithmonë gjatë këtij viti.
Inzaghi do të kryejë ndryshime në çdo repart. Duke nisur nga mbrojtja, me Skriniar e Bastoni-n në stol, që do të zëvendësohen nga D'Ambrosio e Dimarco. Edhe Barella pritet të qëndrojë pushim, teksa Calhanoglu mund të jetë titullari i vetëm që do e nisë nga minuta e parë. Në sulm, përkrah Lautaros pritet të luajë Correa. Pavarësisht ndryshimeve, Interi e ka të qartë: edhe kupa është një trofe që duhet fituar. (A2 Televizion)