
Nga oborri i partisë, përplasja ndërmjet demokratëve u spostua në sallën e parlamentit.
Në tryezën e deputetëve kishte mbërritur vendimi i kryesisë së PD-së për përjashtimin e 4 deputetëve, akt i cili solli përherë të parë në 30 vite debatin opozitë–opozitë brenda sallës së Kuvendit.
“Nuk kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte kohën e diktaturës duke përjashtuar njerëz nga partia, unë pres tani edhe fshatin ku do të na internojë”, u shpreh Edmond Spaho.
Një nga një të përjashtuarit morën fjalën në Kuvend duke atakuar vendimin e Lulzim Bashës, të cilit i nevojiten edhe votat e Edi Ramës për ndryshimet në komisionet parlamentare që pasuan përjashtimin e Edmond Spahos, Flamur Nokës, Albana Vokshit dhe Luan Baçit.
“Këtu ka vetëm një deputet i cili mendon që një marrëveshje politike është mbi Kushtetutën. E ka deklaruar një herë dhe ka pasur pasoja për demokracinë”, tha Oerd Bylykbashi.
Të gjendur mes një konflikt partiak që nuk i prek, socialistët kërkuan qetësimin e gjakrave për të vijuar punimet e seancës.
“Këtu në këtë sallë janë njoftuar vendime të grupeve parlamentare për përjashtime historikisht. Në këtë sallë janë përjashtuar Spartak Ngjela, Gilman Bakalli”, ndërhyri Taulant Balla.
Grupi i Bashës nuk u bë pjesë e debatit, por kryetari i ri Alibeaj, mesazhin e dha në fjalën përshëndetëse të nisjes së sesionit.
Konflikti i përjashtimeve nuk gjeti zgjidhje dhe seanca votoi vetëm Agron Gjekmarkajn si n/kryetari i ri i Kuvendit. (A2 Televizion)