Pakënaqësia për rritjen e çmimit të naftës nuk është shprehur vetëm në Tiranë. Edhe në qytetet e tjera të vendit është kërkuar frenimi i rritjes së çmimeve duke protestuar në rrugë e sheshe.
Në të njëjtën orë me Tiranën nisi protesta e qytetarëve durrsakë, që kundërshtojnë rritjen e çmimeve.
Ashtu siç ishte paralajmëruar dje në përfundim të protestës, këtë të enjte qytetarët janë mbledhur në një nga rrugët më kryesore të qytetit, duke bllokuar të dyja akset e saj.
Momentalisht rruga “Adria” është e pakalueshme nga stacioni i trenit në drejtim të Urës së Dajlanit.
Protestë kundër rritjes së çmimeve dhe naftës ka patur edhe në Devoll, ku kanë marrë fermerë, anëtarë të PD dhe qytetarë.
Ata shprehen se qeveria duhet rë ulë çmimin e karburantit pasi është i papërballueshëm dhe po fundos fermerët edhe më keq nga sa janë. Janë disa dhjetëra qytetarë të grumbulluar.
Protestë kundër rritjes së çmimeve është zhvilluar pasditen e sotme edhe në Tepelenë. (A2 Televizion)