
Edhe nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha vijoi me denoncimet për atë që e quan masakër zgjedhore dhe foli sërish për zgjedhësit shëtitës. Në rang kombëtar sipas tij ishin 547 mijë të tillë, por fenomenin e kishte analizuar për çdo bashki.
“Në Bashkinë e Vlorës ata arritën në 29% të zgjedhësve të Vlorës. Në Bashkinë e Vorës 15%, Prrenjas 28%, Rrogozhinë 16%, Sarandë 35%, Përmet 29%, Malësi të Madhe 23%, Kurbin 30%,Konispol 34%, Has 18%, Kamzë 21%, Durrës 23%, Shkodër 16%, Devoll 20%, Delvinë 34%, Bulqizë 10%, Mallakastër 11% dhe kështu me radhë”, tha Berisha.
Përgjigjen e mori nga Taulant Balla, që nuk hezitoi t’i vinte gishtin në plagën e hapur të humbjes në Tropojë.
“Unë po ta them troç edhe pse nuk jam më aty, nëse një rezultat të tillë do ta kisha në Librazhd, nuk do vija më në këtë sallë. Bën mirë dhe ti që humbjen e Tropojës ta konsiderosh si përfundimin e karrierës tënd të politikë, të lëshosh mandatin e të ikësh njëherë e përgjithmonë edhe nga kjo sallë, sepse në fund të fundit, kemi një shprehje të gjithë, kur s’të voton fshati jot ç’të të votojnë më të tjerët”, u shpreh Balla.
Tensionet në veriu e Kosovës dhe qëndrimet e Tiranës zyrtare ishin një tjetër temë mbi të cilën u përplasën Berisha dhe Balla. Ish-kryeministri i shpjegon qëndrimet e Ramës ndaj Prishtinës, me frikën që i shkakton çështja McGonigal në SHBA, por për mazhorancën bëhet fjalë thjesht për unifikim me partnerët ndërkombëtarë.
“Ky e ka shndërruar Tiranën zyrtare në një altoparlant të Beogradit zyrtar. Nga ana tjetër beson se me këto qëndrime do mund të lehtësojë veten nga afera McGonigal. Por asgjë nuk të shpëton ty. Afera McGonigal do të çojë ty në birucë, aty ku është McGonigal”, shtoi ish-kryeministri.
Ndërsa Balla u shpreh, “Qëndrimi i Shqipërisë është në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE. Nuk ka asnjë deviacion të qëndrimit të Shqipërisë nga ky pozicion tepër i qartë dhe natyrshëm ky duhet të jetë edhe pozicioni i Kuvendit të Shqipërisë sa kohë që ajo që na intereson më shumë është ardhmëria euroatlantike e Kosovës”.
Berisha i qëndroi bindjes se Rama nuk e do Kosovën, bazuar në përplasjet e kreut të qeverisë së Shqipërisë me politikanët përtej kufirit. (A2 Televizion)