
Shtetet e Bashkuara po nxisin Brukselin për të ecur më tej në marrëdhëniet me Tiranën dhe Shkupin në kuadër të anëtarësimit, si dhe janë të gatshëm “të luajnë një rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, që po pengon hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shkupit, por edhe të Shqipërisë.
Sipas burimeve nga Departamenti i Shtetit të mbledhura nga Zëri i Amerikës, përmes një zëdhënësi, “SHBA-ja është mbështetës i fortë i integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është pikërisht në BE. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën më gjerësisht, ne shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme. Ne përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të sjellë një zgjidhje të suksesshme për të filluar sa më shpejt negociatat zyrtare”, ishin fjalët e tij për VOA.
Projekti francez, që parashikon ndër të tjera përfshirjen në kushtetutë të të drejtave të shtetasve bullgarë në Maqedoninë e Veriut, apo dhe mosnjohjen prej saj të gjuhës maqedonase, është refuzuar gjithsesi nga ekzekutivi i Shkupit që nënvizoi se “çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese”, edhe pse sot kryeministri Kovaçevski pranoi se bisedimet me Bullgarinë fqinje vazhdojnë në nivelin e ekipeve të ekspertëve të Ministrive të jashtme, dhe se "kur të ketë një propozim të pranueshëm nga të dyja palët, atëherë ai propozim mund të diskutohet në institucionet e Maqedonisë së Veriut".
Sipas Departamentit të Shtetit, “bisedimet midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut duhet të fillojnë para hapjes së procedurës për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjes së bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës" duke kërkuar "garanci të fuqishme nga Bullgaria e nga BE-ja se Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj që do të arrihet si marrëveshje”. (A2 Televizion)