
Sali Berisha komentoi ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kavajë, ku 31-vjeçari Ilvi Meta, i arrestuar nga forcat e rendit, u vetëvra brenda qelisë së komisariatit të atij qyteti.
Sipas ish-kryeministrit, “autopsia tregon se kishte një lak, shenjën e një laku rreth qafe, çka flet për varje”.
“Vetëvarje apo e vari xhelati, këtë nuk e dimë. Nuk mund të akuzoj se e vari ndonjë xhelat, nuk konfirmoj se vari veten. Ilvi, sipas dëshmive të shokëve dhe miqve të tij, ishte një djalë i hedhur, pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik apo psiqik. Ai u arrestua, me një provë absolutisht të paqëndrueshme. Gjurmat e gishtërinjve të tij u gjetën në derën e një lokali ku pinte kafe. Ai u akuzua sikur ka marrë derën, por s’po merrem me veprën penale. Po merrem dhe jam këtu para jush për të denoncuar faktin se qelitë e sotme në komisariatet e policisë janë shndërruar në biruca po aq të zeza sa qelitë e sigurimit të shtetit”, tha Berisha.
“Nuk ka vend në Evropë, nuk ka vend të lirë në botë që në një hark kohor 5-javor të regjistrojë 2 vdekje, të dy të rinjve, në komisiaratin e policisë. Nuk ka ndodhur kurrë në 30 vite. Edhe në kohën e hetuesive më të rrepta, mund të ketë ndodhur para viteve ’60, por mbrapa kishte tortura, por jo në atë shkallë sa të humbnin jetën në qeli. A u ushtrua dhunë dhe terror ndaj Ilvi Metës? Kavaja vuan shumë nga një rrjet grabitësish, të cilët kanë krijuar shqetësim të madh, por kjo nuk do të thotë të vriten njerëz në qeli”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)