Nis seanca për shkarkimin e presidentit, Dervishaj paraqet mbrojtjen prej 140 faqesh: Hakmarrje politike ndaj Metës

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2022, 10:41 | Politikë
Nis seanca për shkarkimin e presidentit, Dervishaj paraqet mbrojtjen prej

Ka rinisur sot në orën 10:00, seanca e Gjykatës Kushtetuese ku do të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Presidentit Meta. Këshilltari juridik i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, është paraqitur me një dosje voluminoze dhe të detajuar prej 140 faqesh, bashkë me provat në mbrojtje të kreut të shtetit.

“Në asnjë moment, nuk rezulton se presidenti ka shkelur kushtetutën. Procesi hetimor kishte për qëllim vetëm hakmarrjen politike ndaj kreut të shtetit. Procesi i nisur politikisht për t’u hakmarrë ndaj tij dhe për të shmangur vëmendjen nga problematikat që kishte procesi zgjedhor”, u shpreh Dervishaj.

Dervishaj deklaroi në seancë se Komisioni i Ligjeve shkeli Kushtetutën pasi nuk respektoi asnjë afat.

 “Vendimi për shkarkimin e Presidentit është realizuar në një periudhë tranzitore për Kuvendin. Komisioni Hetimor u ngrit në mungesë të një objekti në dispozicion dhe Kuvendi ka ndërhyrë në kompetencat e kreut të shtetit”.

Sipas Dervishit, Kuvendi ende nuk i ka plotësuar rekomandimet e miratuara për rishikimin e dispozitave kushtetuese për të qartësuar kompetencat e kreut të shtetit.

“Mazhoranca pas opinionit të Venecias u detyrua ta mbyllte veprimtarinë e komisionit hetimor në korrik të 2020-s. Kriza shoqërohej edhe me mosfunksionimin e organeve më të larta të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, për 33 muaj kjo gjykatë nuk ishte funksionale. Që në 2017-n kryeministri Rama përmes deklarimeve publike shantazhonte sistemin në drejtësi dhe disa u dorëhoqën dhe disa i shkarkoi vetingu. Mazhoranca pas opinionit të Venecias u detyrua ta mbyllte komisionin hetimor dhe të hartojë një raport për të evituar ngërçin institucional. Komisioni hetimor ia rekomandoi kuvendit dhe kuvendi e miratoi. Veprimtaria hetimore u mbyll. Sipas shpjegimeve të dhëna nga përfaqësuesit e Kuvendit më 1 shkurt, kuvendi ende nuk i ka plotësuar rekomandimet e miratuara për rishikimin e dispozitave kushtetuese për të qartësuar kompetencat e kreut të shtetit”.

Dervishaj hodhi poshtë pretendimet e mazhorancës se presidenti nuk ndoqi rrugën institucionale për zgjedhjet e 25 prillit. Ai foli me detaje për të gjitha veprimet e presidentit që nga 8 shkurti. Rrjedhja e të dhënave, përdorimi i administratës publike dhe moslejimi i ardhjes së emigrantëve ishin shqetësimet e presidentit, disa prej të cilave i konstatoi dhe OSBE ODIHR.

“Përfaqësuesja e mazhorancës tha se presidenti nuk ndoqi rrugën institucionale. Por kjo s’është e vërtetë. Që më 8 shkurt, ai kërkoi respektimin e ligjit të dekriminalizimit për figura të pastra në zgjedhje. Takoi nga ambasada SHBA-së e çdo trup diplomatik duke i vënë në dijeni për problemet e shfaqura. Shkresa e presidentit 4.3 dërguar të gjithë drejtuesve të shtetit, po ashtu shkresa më 17.3 është ngritur shqetësim e shpjegim i detajuar edhe për zyrat e FRPD-së, drejtorit të doganave e tatimeve thuajse të gjithë shtetit. Për mospërdorim të aseteve shtetërore. Shkresa OSCE, shkresë drejtuar KLSH e KQZ, shkresë drejtuar SPAK e prokuroria Tiranë, ka drejtuar në disa institucione. E kështu me radhë janë 17 shkresa. Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë e TV, pasi u pengua ardhja e emigrantëve. Sapo mbaruan zgjedhjet u lejua ardhja e emigrantëve. Janë këto 37 prova që i keni me shkrim. Të gjitha shqetësimet e Metës mbi fenomenet negative të procesit zgjedhor e keqpërdorimit të administratës publike i konstatoi dhe raporti OSCE OHDIR tek i ndërmjeti dhe finali. Sipas raportit, partia përfitoi avantazhe nëpërmjet administratës. Ministrat vazhduan fushatë e angazhimet zyrtare. Publiciteti i dha mundësi partisë në pushtet avantazh. Ndaj nëpunësve civil ishte shqetësues. Rrjedhja e të dhënave të zgjedhësve ishte shqetësuese përfshirë edhe bindjet e tyre politike".

Dy ditë më parë, u zhvillua seanca e parë për shkarkimin e presidenti Meta dhe pas 11-orësh debat, Kushtetuesja vendosi ta shtyjë seancën për ditën e sotme.

Përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Presidentit, mbrojtën qëndrimet e tyre të shprehura, përgjatë gjithë kësaj kohe.

Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi më 9 qershor, me 104 vota pro shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani pritet vendimi kushtetues për kreun e shtetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos