Balla u bën thirrje demokratëve të miratojnë zgjatjen e vetingut: Nuk duhet politizuar, na bën nder të gjithëve

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2022, 10:37 | Politikë
Balla u bën thirrje demokratëve të miratojnë zgjatjen e

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u bëri edhe një herë thirrje demokratëve që të miratojnë zgjatjen e afatit për mandatin e organeve të vetingut, deri në fund të vitit 2024.

Balla tha se ndryshimet duhet të përfshihen në rendin e ditës së datës 10 shkurt. “Nuk është proces që duhet politizuar. Nuk është proces që duhet bërë pjesë e agjendave të tjera politike. Janë ndryshime që kanë ardhur si nevojë e vazhdimit të procesit të suksesshëm të pastrimit të sistemit të drejtësisë. Mendoj që ndërgjegjja e secilit prej nesh për dobinë e vetingut, duhet të tejkalojë agjendën politike. Kjo është në nderin e të gjithëve”, tha Balla.

Për zgjatjen e afatit nevojitet ndryshim i Kushtetutës, që kërkon nevojën e votave edhe nga opozita në Parlament, pasi duhen 74 të tilla.

Në fund të muajit të kaluar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje deputetëve që t’i miratojnë këto ndryshime, pasi, sipas tyre, ato e mbajnë Shqipërinë në rrugën e duhur drejt integrimit europian. Për zgjatjen e afatit të mandatit të organeve të vetingut, është shprehur pro edhe Komisioni i Venecias. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos