
“Perspektiva e krijimit të një Donbasi të vogël në mes të Europës është një kërcënim real dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar duke nxitur dialogun.”
Ishte ky paralajmërimi i përsëritur i Kryeministrit Edi Rama në përpjekje për ta kthyer situatën në Kosovë në “krye-çështje” të konferencës që bëri bashkë udhëheqësit e disa prej shteteve anëtare të NATO-s për situatën në Ukrainë.
“Ndaj të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta parandaluar duke nxitur dialogun, duke e sjellë në nivel të lartë në BE me mbështetje të SHBA-ve dhe duke bërë të qartë nëpërmjet NATO-s që KFOR do të jetë aty për të garantuar dhe për të vendosur integritetin e plotë në rast të ndonjë ndërprerje që mund ndodhë për shkak të një përshkallëzimi të papërgjegjshëm.”
Vëmendje të veçantë në konferencë mori edhe grupi ushtarak mercenar rus, “Wagner” me drejtuesin Prigozhin që po strehohet në Bjellorusi.
“Ditët e kaluara pamë kryengritjet e grupit Wagner. Sot Prigozhin gjendet në Bjellorusi. Nëse Rusia vë një vrasës të tillë në Bjellorusi atëherë ne jemi në një rrezik edhe më të madh. Na duhet të marrim vendime të forta dhe kjo kërkon një përgjigje të fortë të NATO-s,”, deklaroi presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.
Sekretari i Përgjithshëm i Jens Stoltenberg , bashkë me përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s përsëritën qëndrimin e aleancës krah Ukrainës, duke rritur tonet kërcënuese ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. (A2 Televizion)