Veglat e punës në një anë, këpucët e vjetra në tjetrën dhe fanella e Tiranës që të shoqëron në çdo vend që hedh sytë. Është kjo shtëpia e Muhamed Hykës, i cili i dedikoi të gjithë jetën e tij klubit të “Tironës”. Shumë prej jush do thonë, kush është dhe çfarë ka bërë për bardheblutë? Sigurisht ai qëndronte gjithmonë pas kuintave dhe nuk ishte i njohur për tifozët por njihej për dashurinë që kishte për skuadrën kryeqytetase.

Muhamed Hyka ka punuar për 31 vite si këpucar te klubi i Tiranës, duke qenë gjithmonë nga pas legjendave bardheblu. Pasi mbaroi shkollën, ai punoi dhe si masazhator i klubit vetëm që t’i qëndronte pranë , lojtarëve dhe mbi të gjitha për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës. Në një bisedë me këpucarin e njohur, ai mes lotësh rrëfen vitet e parë në ekip.
Edhe pse në moshën 80-vjeç, Muhamed Hyka edhe sot e kësaj ditë nuk u ndahet pasionit të tij dhe koleksionon qindra këpucë të paveshura akoma. Teksa bisedon me këpucarin, ai kujton shumë histori që vështirë se do të fshihen ndonjëherë nga memoria e tij.

Prej aksidentit të pësuar, Muhamed Hyka nuk ka mundur të shohë Tiranën e tij në stadium, edhe pse dëshira ka qenë gjithmonë e madhe. Ai nuk i mban lotët kur kujton legjendat e klubit bardheblu, si Agustin Kola apo Ben Minga. Kur e pyesin për Tiranën sot, ai tregon se gjithçka ka ndryshuar, futbolli nuk është më njësoj. Lojtarët i tërheq vetëm paraja dhe jo historia që klubi ka.

Personazhe si Muhamed Hyka janë të rralla pasi jo të gjithë i qëndrojnë besnik skuadrës së tyre deri në fund. Ai kurrë nuk pranoi disa parashtesë nga Partizani apo Dinamo, ai donte vetëm Tiranën. Edhe pse qëndronte gjithmonë prapa kuintave, për bardheblutë ishte një prej protagonistëve më të rëndësishëm. I qetë dhe i përkushtuar në zanatin e tij. Ai punonte për orë të tëra vetëm që t’u jepte futbollistëve, armën, për të shënuar gol. (A2 Televizion)