Një vit pas vrasjes, babai i Klodian Rashës kërkon drejtësi: Të gjendet se kush e vendosi pistoletën

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2021, 10:00 | Kronikë

Një vit pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i Policisë, pasi u kap pas orës policore, familja e tij kërkon drejtësi. Pas homazheve sot në sheshin “Skënderbej” duke përkujtuar Klodian Rashën, babai i tij i bëri thirrje shtetit që të zbardhë të vërtetën e vrasjes së të birit dhe të vendoset drejtësi.

Ai akuzon segmente të caktuara se tentuan të inkriminojnë djalin e tij dhe apelon të gjendet se kush e vendosi pistoletën, në të kundërt do ta zbardhë vetë ngjarjen.

“Shteti e ka për detyrë që atë që ndoshta nuk e ka bërë deri tani, ta bëjë. Më esencialja që kërkoj është zbardhja e inkriminimit që persona të caktuar u munduan që fëmijën ta përbaltin, inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vendosin edhe armën aty, sa fëmija të bëhet kriminel. Ia kërkoj shtetin që përbaltjen e djalit, inkriminim dhe personin që vendosi armën, ta gjejë, sa unë nuk kam vendosur akoma për ta kërkuar dhe për ta gjetur vetë. Lus zotin që tragjedi dhe plagë të tilla të mos përjetojë asnjë person”.

Klodian Rasha u qëllua për vdekje me dy plumba nga një efektiv, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos