
Emmanuel Macron sfidon protestuesit që po djegin Parisin dhe qytetet e tjera të Francës. Presidenti nuk pranon të heqë dorë nga reforma e tij në pensione, pavarësisht presionit të madh publik dhe manifestimeve të dhunshme.
Shefi i Elizesë synon që deri në fund të këtij viti, mosha e daljes në pension të jetë 64 vjeç dhe jo 62, siç është aktualisht.
“Kjo reformë nuk është një luks, as kënaqësi, por një nevojë. Në momentin që ne po flasim, ju mendoni se mua më pëlqen ta bëjë këtë reformë. Përgjigjja është jo. A mundësha që ta fshihja pluhurin poshtë tapetit, ashtu si shumë përpara meje, përgjigjja është po.”
EMMANUEL MACRON, PRESIDENT I FRANCËS
Macron u shpreh i gatshëm të përballojë dhe rënien e madhe të popullaritetit për shkak të reformës. Hallka e fundit në të cilën duhet të kalojë plani për pensionet është ajo e Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti francez njoftoi se përveç kundërshtisë verbale, nuk ka marrë asnjë propozim konkret për kompromis nga sindikatat. Macron tha se respekton protestuesit, por dënon dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Por shpjegimet e tij në intervistën për median publike France 2 nuk e shuan zjarrin, veç sa e ndezi edhe më shumë atë.
“Aspak të bindur. Madje më keq, i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit, duke shtuar zemërimin e punëtorëve në vështirësi. Si mund të thotë se njerëzit në rrugë nuk kanë asnjë legjitimitet? Si mund të thotë që pavarësisht protestave, reforma në pensione do ecë përpara?”
LAURENT DELAPORTE, KRYETAR I SINDIKATËS CGT
Që nga vendimi i qeverisë për të anashkaluar votimin në parlament, francezët kanë protestuar dhunshëm në Paris e qytete të tjera franceze, ndërsa të enjten pritet të zhvillojnë një grevë masive duke bllokuar transportin publik, shkollat dhe shërbime të tjera. (A2 Televizion)