Protestat në veri, KFOR shton praninë dhe njofton stërvitje ushtarake

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 11:57 | Kosova
Protestat në veri, KFOR shton praninë dhe njofton stërvitje

Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar praninë në veriun e Kosovës. Një lëvizje e tillë erdhi ndërsa bllokadat vijojnë të pengojnë lëvizjen në rrugët kryesore, dhe pasi grupe të djathta manifestuesish nga Serbia, protestuan në anën serbe të kufirit të Jarinjës. Manifestuesit ultranacionalistë u përpoqën të hynin në Kosovë, por u ndaluan me forcë nga policia serbe. Ata thërrisnin slogane kundër institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, që bllokoi rrugën në anën tjetër të kufirit me tela me gjemba dhe autoblinda.

“E dimë që nuk jemi ne që e drejtojmë lojën, qeveria duhet ta bëjë. Por shteti duhet ta shtojë trysninë, dhe ne po shtojmë trysninë ndaj shtetit”, thotë një protestues.

KFOR paralajmëroi për prani të mundshme të grupeve kriminale mes protestuesve dhe bëri thirrje për heqje dorë nga provokimet

“Pas koordinimit me të gjitha palët, KFOR-i ka shtuar praninë në Jarinjë për arsye të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve. Është gjithmonë e rëndësishme që të gjithë personat që marrin pjesë në një protestë të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur dhunën joproporcionale, qëndrimet dhe sjelljet agresive që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë e panevojshme”, tha KFOR.

Sipas forcave paqeruajtëse, "KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Po ashtu forcat paqeruajtëse njoftuan se në ditët në vijim ata do të kryejnë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës në Novoselë në veri. Sakaq, ministri i Brendshëm në qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi pas protestës, se "është shfaqur një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës”. 

“Ata që ndezën luftëra në Europë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu”, u shpreh Sveçla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos