Nuk mund ta rivlerësonte, KPK shkarkon ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë

Nga A2 CNN
3 Korrik 2020, 08:52 | Aktualitet
Nuk mund ta rivlerësonte, KPK shkarkon ish-kryetaren e Gjykatës

Në seancën dëgjimore, gjyqtarja e Apelit, Shpresa Beçaj, tha se ishte e gatshme të përballej me procesin e vetting-ut. Dy ditë më vonë, në seancën e shpalljes së vendimit, karrigia e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë ishte bosh.

Verdikti përfundimtar u dëgjua nga përfaqësuesi i saj ligjor.Vendimi negativ i komisionerëve të vetting-ut ndërpreu karrierën 33-vjeçare të Beçajt në sistemin gjyqësor. Arsyetimi i vendimit do të zbardhë edhe argumentet e përdorura nga KPK për një nga rastet jo të zakonta të procesit të vetting-ut.

Kjo për faktin se Beçaj u shkarkua pa iu nënshtruar filtrimit të pasurisë, pastërtisë së figurës, apo aftësive profesionale. Në seancën dëgjimore, KPK relatoi se nuk mund të bënte kontrollin e 3-fishtë për ish-kryegjyqtaren e Lartë, pasi ajo nuk kishte depozituar asnjë nga 3 formularët e vetëdeklarimit në organet e vetting-ut në afatin e caktuar dhe as pas përfundimit të tij.

Vetë Beçaj u justifikua me faktin se nuk i ishin pranuar formularët, pasi teksa hyri në fuqi ligji për vetting-un, ajo nuk ushtronte funksionin e gjyqtares. Sipas Beçajt, pas largimit nga Gjykata e Lartë në vitin 2013 për 5 vite me radhë Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mori në shqyrtim kërkesën e saj për emërim në Apelin e Tiranës.

Ajo u emërua në këtë gjykatë në vitin 2018, pas një beteje gjyqësore me KLD, por në këtë moment afati i dorëzimit të formularëve kishte përfunduar. Sipas saj, ligji nuk lejonte dorëzim të tyre pas mbarimit të afatit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos