
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, tha se mbi 5200 delegatë janë të pranishëm në kuvendin e sotëm kombëtar. Në një intervistë për A2 CNN, Duma tha: “Ekziston një mundësi që partia të çahet dhe kjo duhet të shmanget. Pas kësaj date, duhet të sigurohemi që të gjithë demokratët të qartësohen. Kam bindjen e plotë që ata që kanë qenë më 11 dhjetor, kanë qenë të manipuluar nga ndjesitë e humbjes dhe nuk kanë bërë zgjedhjen e duhur”.
Deputetja e PD-së tha se në kuvendin e kësaj të shtune, duhet të vendoset një standard që nuk vë në rrezik orientimin pro perëndimor të Shqipërisë. “Sot kemi një grupim të keqpërdorur - me gjithë respektin për demokratët e 11 dhjetorit - duhet të jemi sot një forcë politike që të mos kthehet në haxhiqamiliste. Interesat personale nuk prevalojnë mbi ato publike. Nëse një ditë fatkeqësisht do të më kishte ndodhur mua kjo ngjarje, e cila është e rëndë edhe për Sali Berishën, nuk do të kisha vendosur kurrë veten përballë 700 mijë shqiptarëve që presin zgjidhje”.
Sa i përket referendumit që po mbahet paralelisht në degët e PD-së në rrethe, Duma tha se ai proces nuk i plotëson standardet. “Nuk mund të votojë PD-ja dhe të katandiset nëpër kafene e restorante. PD-ja ka nevojë për institucione. Sot duhet të jemi këtu për të vendosur një standard dhe ai që do të paraqitet për t’u miratuar është standardi properëndimor. Standardi që do të propozojmë sot është se ata që i kap formula e dekriminalizimit nuk mund të jenë më në strukturat e PD-së. Nëse do të më ndodhte mua, duhet të ndodhte kështu edhe për mua”. (A2 Televizion)