
Deklarimet e të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha, të arrestuar nga operacioni “Plumbi i artë”, i kanë dhënë një kthesë të fortë gjyqit ndaj Erion Alibejt në Gjykatën e Posaçme. Teksa po gjykohej prej muajit maj si pjesë e një grupi kriminal dhe porositës i vrasjes së Emiliano Ramazanit e Regis Runajn në vitin 2020 në Elbasan, këtë të martë SPAK kërkoi tërheqjen e akteve ndaj tij, ç’ka do të thotë kthim i dosjes në prokurori dhe vazhdim i mëtejshëm i hetimit.
Kërkesa e prokurorit Behar Dibra u pranua nga gjykata, ndërsa çështja ndaj dy të bashkëpandehurve të Alibejt, Euglen Halili, i penduar i drejtësisë dhe Xhuliano Hoxha do të vijojë gjykimin.
Nevoja e tërheqjes së akteve lindi për shkak të mospërputhjes së dëshmisë së të penduarit të dosjes, Euglen Halili dhe dëshmisë së Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt. Në rrëfimet e tyre para hetuesve ata kanë pohuar të dhëna të kundërta për autorët dhe porositësit, ndonëse flasin për të njëjtat ngjarje kriminale. Njëkohësisht, deklarimet e Dumanit e Hoxhajt kanë ngritur dyshime për përfshirje të Alibejt në krime të tjera.
Sipas dosjes në gjykim në Gjykatën e Posaçme, referuar deklarimeve të te penduarit Euglen Halili, SPAK pretendon se Erion Alibej ishte porositës dhe organizator i vrasjes së Ramazanit e Runajt, pas dyshimeve se ata ishin përfshirë në vrasjen e vëllait të tij dhe xhaxhait në ngjarjen e njohur si “Masakra e Bradasheshit”. (A2 Televizion)