
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të finalizojë me arrestime mbylljen e hetimeve për efektivet e Policisë Kufitare dhe sigurisë së Rinasit të cilët lejuan kalimin e efektivit të rrugores Florenc Bicerri së bashku me 31 kilogramë hashash që e mbante në dy valixhe.
Mësohet se personat përgjegjës nuk kanë mundur të dallojnë lëndën narkotike. Nuk përjashtohet as mundësia e bashkëpunimit mes të arrestuarit në Stamboll dhe punonjësve të sigurisë së Rinasit.
Droga ishte fshehur në dy valixhe dhe u transportua në Turqi nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, ‘’Nënë Tereza’’ drejt atij të Stambollit.
Hashashi u zbulua gjatë kontrollit me skaner dhe qenve nuhatës të policisë turke, ndërsa kontrolli i imtësishëm çoi në pranga Florenc Bicerrin, punonjës i Policisë Rrugore Tiranë dhe Kujtim Çelikun, një tjetër shqiptar me precedent në vjedhje në Shqipëri.
Sekuestrimi i drogës në Turqi vuri në alarm policinë, e cila nisi hetimet se si polici i rrugores dhe bashkudhëtari i tij mundën të kalojnë drogën në aeroport pa u kapur nga policia kufitare dhe skanerat.
Për arrestimin e tij drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vendosi përjashtuar Bicerrit përgjithmonë nga Policia e Shtetit. (A2 Televizion)