Nuk pranoi të plotësojë formularin e votave, eprori "bën për spital" punonjësin e Bashkisë Patos

Nga A2 CNN
25 Prill 2023, 17:28 | Kronikë

Policia e Fierit ka reaguar pas deklaratës së drejtuesit të Rithemelimit për Qarkun e Fierit, Luan Baçi, i cili deklaroi se, Bato Dalipaj një punonjës i bashkisë së Patosit, është dhunuar nga përgjegjësi i ndërmarrjes, Petrit Pëllumbi.

Sipas Baçit, ai tha se persona që mbështesin Partinë Socialiste i kanë kërkuar Dalipajt që të plotësonte një formular ku të shkruante emrat e familjarëve që do të votonin për PS-në. Ai vijoi më tej duke shtuar se, Dalipaj nuk e ka pranuar diçka të tillë dhe për rrjedhojë edhe goditur me grushta nga Petrit Pëllumbi. Deputeti demokrat tha se kryeministri duhet të heqë dorë nga presionet dhe shantazhi sepse në mes të fushatës situata mund të rëndohet.

“Kryeministri duhet të heqë dorë nga presionet dhe shantazhi, duhet s’del vete kryeministri po dalin të vegjlit e kryeministrit. Jemi në mes të fushatës dhe situata do agravojnë. Edi Rama e di që do të humbë se nuk ia voton njeri kandidatët problematikë dhe do që t’i marrë bashkitë me dhunë. I bëj thirrje OSBE/ ODIHR që të jetë në terren për të vëzhguar situatën”, tha Baci ndër të tjera.

Ndërsa Dalipaj shpjegoi sesi i kishin kërkuar të firmoste formularin me 10 emra si votues të sigurtë dhe sesi e kishin dhunuar pasi nuk kishte pranuar. 

“Më erdhi nga mbrapa, më tha çfarë the ti?! Të mbash mend më tha. Më kapi për fyti dhe më gjuajti direkt”- u shpreh i dhunuari.

REAGIMI I POLICISË SË FIERIT:

Patos, Fier/Informacion paraprak: Rreth orës 16:10, shtetasi B. D., 55 vjeç (punonjës i ndërmarrjes së komunales, bashkia Patos), është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, për të bërë kallëzim, duke pretenduar se në ambientet e punës, eprori i tij, shtetasi P. P. ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për shkak nuk ka pranuar të plotësojë një formular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasit B. D. po i merret dëshmia në lidhje me rrethanat e ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale.

Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet hetimore do t'i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos