Nuk thanë kënetën e Maliqit, shpresë për gjetjen e eshtrave të të vrarëve nga regjimi

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 14:13 | Aktualitet

“Dritë jeshile” dhe shpresë për zbutjen e dhimbjes së familjarëve, të cilët prej vitesh apelojnë për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve në kampin e Maliqit.

Të burgosurve politikë dhe disa inxhinierëve iu ishte ngarkuar detyra të thanin Kënetën e Maliqit. Por mosrealizimi i planit, solli varjen në litar dhe pushkatimin e qindra të burgosurve mes tyre inxhinierët, gjeometrit e llogaritarët, të cilët cilësoheshin si sabotatorë.

Kryetare e Autoritetit të Dosjeve thotë se tashmë janë piketuar zonat ku do të bëhen gërmime për gjetjen e eshtrave.

Nga ceremonia përkujtimore

“Kemi disa indicie që vetë qytetarët na kanë sjellë, kemi përpiluar një hartë, është e rëndësishme që ato vende të mos tjetërsohen pa u verifikuar dyshimet, të mblidhet sërish informacion dhe të jepen urdhër-gërmimet”, thotë Gentiana Sula, kryetare e Autoritet të Dosjeve.

Shpresëplotë janë edhe familjarët e të zhdukurve në këtë kamp, të cilët shprehen se përpjekjet e tyre disavjeçare për të pasur një varr për të vrarët po shkojnë drejt zgjidhjes.

“Shpresojmë dhe urojmë që të gjithë të zhdukurit të kenë një varr, ku të afërmit të shkojnë vërtet aty ku ndodhen eshtrat”, thotë Liljana Çoçoli, në përfaqësim të familjarëve.

Në “Kampin e Vdekjes” në Maliq kanë qenë 1800 të burgosur politikë, ndërsa për realizimin e tharjes së kënetës duheshin të paktën 10 000 persona. Me qindra të vrarë dhe të zhdukur sot, nuk kanë një varr dhe për këtë arsye në zonë është ngritur një memorial në nder të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos