
Një shfaqje hipokrite e cilësoi Sali Berisha seancën e sotme parlamentare ku pritet të votohet rritja e pagave për presidentin, kryeministrin, ministrat, deputetët dhe punonjësit e administratës publike. Berisha theksoi se procesi i rritjes së pagave duhet të niste me vendosjen e minimumit jetik, ndërsa njoftoi votën kundër këtij vendimi, pavarësisht se u shpreh se ka qenë dhe është pro rritjes së pagave.
“Hipokrizi e paparë në parlament. Pasi mashtroi shqiptarët duke paraqitur rrogën e presidentit, admiralit dhe Rezartit solli në parlament një ligj në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë. Mjekë, policë mësues, ushatarakë përfitojnë një rritje 1% ose minus 1%. Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm ndaj punonjësve të këtij vendi tejkalon çdo cak. Kam qenë, jam e do të jem për rritjen e rrogave. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend ka qenë ngrirja e rrogave, por sot kjo farsë që dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1% ose zbresin, kjo llogaritet me inflacionin e INSTAT, por me EUROSTAT rënia është më e madhe se kaq”.
Sipas tij vendosja e minimumit jetik zbut varfërinë dhe zhduk mjerimin.
Dje kam insistuar që ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh e përllogaritur nga Avokati i Popullit duhet të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate shumë të rëndë e mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri. Në vend që të fillonte me minimumin jetik, pensionet nën 200 euro do të bënte një zbutje të fuqishme të mjerimit. Minimumi jetik zhduk mjerimin, zbut dhe varfërinë dhe ishte një masë e plotësisht e mundshme, kur dhe që qytetarëve u vidhet nga pushtetarët cdo vit nga fondi i pagave. Kjo po mbyllet në mënyrë të turpshme nga njerëz që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi në darkë”.
Votën kundër Berisha e argumentoi me arsyetimin se është kundër mashtrimit të mësuesve policëve, mjekëve dhe ushtarakëve.
“Ne nuk e votojmë këtë, nuk jemi kundër rritjes së rrogave, nuk jemi për mashtrimin e punonjësve, mësuesve, policëve, mjekëve e ushtarakëve. Nëse u themi që paga mesatare do dyfishohet nis nga minimuni jetik. Nuk janë rroga të larta as rrogat e niveleve të larta por janë këto të tjerat të papajtueshme. Diktaturat nga demokracitë është dhe diferenca në paga në sektorin publik. Paga maksimale nuk është kurrë 4-5 herë më e madhe se paga mesatare kurse në këtë mënyrë bëhet 10 herë më e madhe”. (A2 Televizion)