
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (asaj zyrtare) do të votojë pro projektligjit për rritjen e pagave. Këtë e bëri të ditur, kreu i ri i këtij grupi Gazment Bardhi në seancën e sotme plenare.
Megjithatë, Bardhi e akuzoi qeverinë se në 10 vite nuk u pranua asnjë propozim nga opozita për rritje pagash, ndërsa këtë vit “u përdor nga mazhoranca në periudhë elektorale.”
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, e akuzoi kryeministrin se rezultatin e këtyre zgjedhjeve e ka siguruar me njerëz të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Konkluzioni më domethënës është rezultati i aleatit politik të Edi Ramës, non grata. PSD. Në fakt ai është thelbi i pushtetit të Edi Ramës. Një këmbë të pushtetit në Durrës, e siguroi nga Vangjush Dako, i damkosur non grata për të cilin ai hesht."
Sërish opozita i referohet rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit si një “masakër” për të cilën, sipas tyre, qeveria duhet të japë llogari.
Teksa përsëriti edhe një herë se grupimi i tij do ta mbështesë projektligjin, Bardhi theksoi se qytetarët nuk do ta ndjejnë rritjen e pagave sepse një pjesë e saj do të zbritet nga inflacioni, çmimet e larta “dhe korrupsioni i qeverisë.” (A2 Televizion)