
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shprehur shqetësimin e saj për pjesëmarrjen e fëmijëve në protesta, sepse do të ketë pasoja të rënda për zhvillimin e tyre. E ftuar Në studion e A2 CNN, Kushi theksoi se ka indicie që këta fëmijë janë nxitur për dhunë, pasi sipas saj asnjë fëmijë në moshën 11-12 vjeçare nuk mund të dalë në mënyrë të pavarur kundër qeverisë dhe të nxisë akte dhune për një çështje që nuk ka të bëjë me ta.
“Jam e shqetësuar kur shoh minorenë që përfshihen në protesta të dhunshme. Ne e respektojmë protestën, por shqetësimi që kam unë si ministre, qytetarë, nënë e grua është që këta fëmijë po nxiten për dhunë dhe kjo ka pasoja të rënda për zhvillimin e tyre. Qëllojnë me gurë, thyejnë xhama, djegin pemë. Janë pamje shqetësuese. Këto ngjarje po hetohen e zbardhen shumë shpejt por duhet të bëjmë dallimin kur flasim për 18-vjeçarë dhe kur janë fëmijë. Unë nuk e mendoj kurrë që një fëmijë 11 vjeçar mund të dalë kundër qeverisë, apo për një çështje, por kjo nuk ka lidhje me fëmijët. Në rastin konkret efektivi i policisë është në duart e drejtësisë. Qeveria dhe shteti nuk i kanë dalë në mbrojtje dhe do të garantojë një proces të pavarur. Ne kemi indicie që këta fëmijë janë të nxitur. Nuk mund të dalë një fëmijë në mënyrë të pavarur e të nxisë akte dhune”.
Ministrja thekson se kjo është hera e parë në demokraci që fëmijët përdoren për çështje të tilla. Sipas saj asnjë prind qoftë socialist, demokrat apo opozitar nuk do të pranonte të shihte fëmijën e tij duke kryer akte dhune
“Është hera e parë në demokraci, kurrë nuk ka ndodhur që fëmijët të përdoren për çështje të tilla. Pamjet në Shkodër ishin pamje që çdo prind do të tmerrohej duke parë fëmijën e tij të kryente akte dhune. Asnjë prind qoftë demokrat, socialist dhe opozitar nuk do të pranonte që fëmija i tij të kryente akte dhune. Nuk do ta besoja kurrë që është iniciativë e lirë e fëmijëve”.
Duke vlerësuar protestat si një nga arritjet më të mëdha të 7 viteve qeverisje, Kushi sjell shembullin e protestave paqësore, si ajo kundër armëve kimike dhe e studentëve, që sipas saj kanë fituar protestuesit. Ajo thotë se nuk mund të përfshihen fëmijët kur në shkolla edukohen me sjelljet tolerante kundër dhunës e terrorizmit.
“Ne i vlerësojmë protestat është një nga arritjet më të mëdha në 7 vite kur protestat janë paqësore protestuesit kanë fituar, si rasti i armëve kimike, apo protesta e studentëve e cila rezultoi me reagimin e qeverisë me paktin e universitetit. Nuk ka ndodhur asnjëherë edhe gjatë viteve të kaluara që të ngrihen fëmijët dhe të ushtrojnë akte dhune. Në sistemin tonë arsimor po përfshihen lufta kundër dhunës, bulizmit, drogës, alkoolit dhe fenomeneve sociale. Ne kemi shërbim të shtuar psikosocial. Po i mëshohet edukimit me sjellje tolerante kundër dhunës e terrorizmit”
Shkolla ka rol të rëndësishëm, thotë Kushi, por për të vlerësuar cilësinë e sistemit arsimor ka raporte analiza e studime dhe këtu përmend raportin e Bankës Botërore që e rendit Shqipërinë një ndër vendet me përmirësim në arsim.
“Ky është një tregues, që është rezultat i reformave që janë ndërmarrë vitet e fundit”. (A2 Televizion)