
Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët akuzohen për “nxitje të urrejtjes ose grindjeve”. A.Z., 39 vjeç, banues në Hot të Malësisë së Madhe dhe L.M., 36 vjeç, banues në Kallmet të Lezhës sipas Policisë figurojnë në dy video të publikuar në mediat online, ku dëgjohen duke ofenduar pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia që vijnë në Shqipëri, të cilët janë të besimit mysliman.
“Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet. Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor pasi nga verifikimet ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet. (A2 Televizion)