Me anë të një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka humbur jetën në Rumani, si pasojë e një aksidenti automobilistik, Ervin Dervina, Oficer i Kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), si dhe bashkëshortja e tij, shtetase rumune.
Mediat rumune shkruajnë se aksidenti ka ndodhur në rrugën mes Brâncoveneşti dhe Suseni. Një kamion është përplasur me dy autovetura, ku në njërën prej tyre ishte duke udhëtuar oficeri shqiptar me bashkëshorten.

Policia e Shtetit shpreh dhimbjen dhe solidaritetin për familjarët e 41-vjeçarit dhe bashkëshortes, për humbjen e papritur dhe të parakohshme të të afërmve të tyre.
Më tej, Policia e Shtetit thotë në deklaratë se është e angazhuar maksimalisht dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet rumune për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. (A2 Televizion)