
Tonet diplomatike mbi “Open Balkan” pranë homologes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ministrja e Jashtme e Kosovës i la mënjanë e gjendur përballë një audiori me anëtarët e komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, ish-ambasadorë apo ish-ministra të Jashtëm. Donika Gërvalla i bën thirrje Shqipërisë të heqë dorë nga iniciativa që e cilëson alibi të Serbisë.
“Open Balkan në sytë tanë nuk përmban asgjë. Open Balkan është pikërisht alibia që i jepet Serbisë për të mos u përkushtuar në Berlin, për ta paraqitur Kosovën si jobashkëpunuese. As Shqipëria dhe as një shtet tjetër nuk duhet të bashkëpunojë” .
Duke shtjelluar më tej argumentin e saj, Gërvalla thotë se Kosova është pro nënshkrimit të 4 marrëveshjeve që mundësojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në rajon, por jo Serbia, e cila me Kosovën kërkon të ndjekë një rrugë më të gjatë.
“Nuk ka gatishmëri nga ana e Serbisë së Vuçiç do t’i përfshijë procesin e dialogut në Bruksel në këto marrëveshje. Ne nuk mendojmë që problemet bilaterale të jenë agjendë rajoni. Të 3 shtetet e sulmuara dhe rrezikuara nga Serbia janë jashtë Open Balkan, nuk besoj se është rastësi”.
Duke e konsideruar të drejtë legjitime reciprocitetin mes qytetarëve të Kosovës që hyjnë në Serbi me atë të serbëve që hyjnë në Kosovë, ministrja Gërvalla solli në vëmendje të të pranishmëve gjuhën që po përdor Serbia, jo vetëm ndaj Kosovës, por dhe dy shteteve të tjera, jo pjesë e Open Balkan.
“Serbia nuk e ka ashpërsuar gjuhën vetëm me Kosovën, por edhe me Bosnjën dhe Malin e zi. Asnjëherë që nga ‘99 nuk është përmendur fjala luftë aq shpesh”.
Sipas Gërvallës, rezultati i dialogut mes dy vendeve do të jetë vetëm një, njohje e ndërsjellë mes dy vendeve, qëndrim që nuk e ndan vetëm Kosova, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe. (A2 Televizion)