Operacion i policisë, sekuestrohen në një automjet 30 kallëpë C4 dhe detonatorë, po i drejtoheshin Shkodrës

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 09:46 | Kronikë

Një operacion ku janë përfshirë forca të ndryshme ligjzbatuese, si Komisariati i Policisë Lezhë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale ka sjellë arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, pasi janë sekuestruar në një mjet të dyshuar një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive, gati për t’u përdorur.

Operacioni u zhvillua në aksin Milot - Lezhë, pikërisht në fshatin Pllanë, ku dy të arrestuarit, shtetasit A. M., banues në Durrës dhe I. L nga Dibra, po transportonin eksplozivin në drejtim të Shkodrës.

Gjatë kontrollit të automjetit, forcat e rendit sekuestruan 30 kallëpë në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatorë, 2 aparate celularë të lidhur me përcjellës elektrik, gati për t'u montuar me mina me telekomandë.

Ndërkohë që Prokuroria po punon për identifikimin e destinacionit të eksplozivit dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja e armëve luftarake, armëve shpërthyese dhe municionit", si dhe "Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive", kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos